Kursimet, nga bankat në tregun imobiliar

Në harkun kohor të një viti, kursimet e qytetarëve në banka kanë rënë me 300 milionë euro. Shkak janë bërë fitimet minimale që ofrojnë bankat për depozitat. Kjo situatë duket se i ka orientuar qytetarët drejt alternativave të tjera të investimit, siç është tregu imobilar. Lefter Sila, agjent imobilar, thotë për RTSH se tregu i shitjeve është gjallëruar. Sipas tij kryeson blerja e dyqaneve, apartamenteve e më pas e tokave.

Por ekspertet bankarë thonë se qytetarët nuk duhet të dekurajohen nga fitimet minimaliste prej depozitave. Një prej tyre Rinald Gjyli këshillon zgjedhjen e depozitave me afat më të gjatë, por ai thotë se një tjetër mundësi e sigurtë investimi janë bonot dhe obligacionet. Kjo për shkak se interesi i tyre është më i lartë se i parave të depozituara në banka.

Ekspertët parashikojnë që normat e ulta të interesit për depozitat në banka do të vazhdojnë për një kohë të gjatë, ndaj trendi historik i investimeve po ndryshon drejt alternativave të tjera.