+355 4 2230 515

Inf-93.com

Paketa fiskale 2019, ja si ndryshojnë tatimi i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme dhe shpenzimet e njohura

Ministria e Financave dhe Ekonomisë parashikon kështu të ndryshojë nenin 11, i cili përcakton kalimin e së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme”. Aktualisht, ky nen përcakton që kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë ndërtesa, tatohet me 15 për qind të fitimeve të realizuara. Ndërkohë, ky paragraf nuk zbatohet në rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Në këtë rast tatimi i të ardhurave kryhet sipas procedurës së dhënë në paragrafin 2 të këtij neni, i cili parashikon që tatimi paguhet nga individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme, para kryerjes së regjistrimit të pasurive të mësipërme, në përputhje me aktet ligjore. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet, pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë, Financat parashikojnë që ky nen të riformulohet në këtë mënyrë: “Fitimi kapital i realizuar si rezultat i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, ndërtesë, truall dhe tokë bujqësore, tatohet me normën 15 për qind. Këmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate këmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme”.

Shpenzimet e njohura

Në paketën e re fiskale, pritet të ndryshojë dhe neni mbi shpenzimet e njohura. Kështu, është menduar që të shfuqizohet paragrafi, i cili përcakton se për veprimtaritë e ndërtimit dhe shitjes së ndërtesave me destinacion për strehim, veprimtari prodhuese, veprimtari tregtare ose shërbimi, ku njihet si shpenzim i zbritshëm edhe vlera e truallit të vënë në dispozicion nga pronari i tokës, sipas kontratave të këmbimit të truallit me sipërfaqe ndërtimi. Ky paragraf përcakton gjithashtu se metodika e përcaktimit të vlerës së truallit për m² miratohet nga Këshilli i Ministrave dhe bazohet në koston minimale fiskale të ndërtimit, sipas qyteteve apo zonave brenda qyteteve. Paketa e re parashikon gjithashtu shfuqizimin e një tjetër paragrafi, i cili gjithashtu përcakton se për veprimtaritë e ndërtimit dhe shitjes me destinacion për strehim, veprimtari prodhuese, veprimtari tregtare ose shërbimi, në të ardhurat e tatueshme të investitorit llogariten edhe të ardhurat që i korrespondojnë pjesës së sipërfaqes së ndërtimit që përfitojnë pronarët e truallit për rastet e kontratave të këmbimit truall-sipërfaqe ndërtimi. Ky paragraf përcakton gjithashtu se vlerësimi i të ardhurave për pjesën e pronarit të truallit bëhet në të njëjtën mënyrë si për pjesën e të ardhurave të realizuara nga investitori dhe ai bazohet në metodikën e miratuar nga Këshilli i Ministrave lidhur me fitimin minimal fiskal.

Tatim fitimi

Ndryshon shkalla tatimore e biznesit. Shkalla e tatimit mbi fitimin është: 15 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej 14.000.001 lekë në vit; 5 % për tatimpaguesit me të ardhura gjithsej 14.000.000 lekë në vit. Aktualisht paguhet 15 për qind për tatimin 8.000.001 dhe 5 për qind deri në 8.000.000. Për të gjithë subjektet që certifikohen për aktivitetin e agroturizimit shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %. Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5 % e parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi” deri në dhjetor 2021.