Rivlerësimi: Shansi i dytë

Sa pasuri përfituan nga ky proces në 2011-n…

Pesë vite më parë, në prag të zgjedhjeve vendore, qeveria ‘Berisha’ mori vendim për të bërë një amnisti për qytetarët dhe bizneset. Pjesa e parë e kësaj amnistie do të ishte falja e taksave të pronës nëse paguaje një vlerë të vogël të saj. Ndryshe nga sot, në 2011-n, ai që barazonte vlerën e pronës me çmimin fiskal të miratuar nga qeveria, ose me atë të tregut do të paguante 1% të diferencës mes çmimit të blerjes me atë që deklaronte. Sot kjo pagesë është 2%. Për bizneset, rivlerësimi u bë me vlerën 2%, ndërsa sot me 3%.

Por edhe pse u ofruan këto lehtësi, vetëm 46 228 prona arritën të rivlerësoheshin. Kabineti i asaj kohe zgjati afatin edhe me 6 muaj në mënyrë që të përfitonin sa më shumë qytetarë. 1.87 miliardë dollarë pasuri përfituan nga rivlerësimi, në një kohë që buxheti i shtetit mblodhi 18 milionë dollarë të ardhura nga ky proces. Nëse këto pasuri do të shiteshin në të ardhmen pa u rivlerësuar, nga tatimi mbi fitimin e pronës, në atë kohë 10%, buxheti do të vilte 180 milionë dollarë. Qytetet të cilat patën interesin më të madh, ishin Tirana me 13 507 prona, e më pas Durrësi, Fieri, Korça, Shkodra e Vlora.

Si të bësh rivlerësimin

Lefter Sila është një agjent imobiliar, i cili ka mbi 20 vite që punon në këtë treg. Ai e sheh rivlerësimin e pasurive si një shans i dytë, që nuk duhet humbur, si për qytetarët dhe për bizneset. Në vite ai ka pasur gjithmonë ankesa nga shitësit e pasurive, pasi taksa që ata paguanin qe shumë e lartë. Lefteri thotë se kushdo duhet të shkojë dhe të bëjë rivlerësimin sot, në mënyrë që edhe nëse nuk shet pasurinë e tij, do të përfitojë më shumë nesër. “Si profesionist i tregjeve të pasurive të paluajtshme, mendoj se rivlerësimi është një hap shumë pozitiv për qytetarët. Kjo nxit tregun e pasurive të paluajtshme pasi nëse një qytetar shet një pronë dhe paguan 15% të diferencës mes çmimit të blerjes dhe të shitjes, sot ai bën rivlerësimin dhe paguan vetëm 2%. Fiton 13% që është një vlerë e konsiderueshme”, thotë Sila.

Që nga data 1 shtator, sportelet e hipotekës presin qytetarët dhe bizneset që të plotësojë formularin për të rivlerësuar pronat. Aplikantët duhet të kenë me vete kontratën e shitblerjes dhe një kopje të certifikatës së pronësisë. Ata që kanë dëshirë ta bëjnë këtë proces përmes punonjësve të zyrave vendore të regjistrimit të pasurisë, duhet të shkojnë dhe të tërheqin formularin, më pas do të plotësojnë pikën 1 dhe 2 të tij, pjesën tjetër e plotëson nëpunësi i administratës. Vlera e pronës që ai do të përfitojë në këtë proces është me çmimet që ka vendosur qeveria në vendimin për hartën e pronës në Republikën e Shqipërisë. Pasi paguan tarifën 700 lekë për aplikim, dhe derdh në bankë 2% të shumës mes diferencës së çmimit që është në kontratën e blerjes me atë të përcaktuar në hartën zyrtare, brenda 48 orësh merr tapinë e re, me vlerën e njehsuar. Në të ardhmen nëse janë në fuqi të njëjtat tarifa për vlerën e tokës, ai nuk detyrohet të paguajë tatim mbi fitim, por nëse ato rriten, atëherë do të paguajë vetëm një diferencë të vogël mes çmimit të rivlerësuar dhe atij që vendoset në kontratën e shitjes. “Duhet të tërhiqen dy formularë në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme nga qytetarët. Në momentin e paraqitjes, qytetari do të marrë një formular dhe do ta plotësojë sipas të dhënave që kërkohen aty. Më pas e depoziton në zyrën e regjistrimit të pasurisë. Pas aplikimit, fillon procesi i rivlerësimit, i cili në maksimumin e tij zgjat 48 orë”, thotë kreu i Hipotekës, Ilirjan Muho.

Por ka dhe nga ata persona të cilët kanë një vlerë më të lartë të pronës, për shkak të rritjes së kërkesave në zonën që zotërojnë pasurinë, apo për shkak të investimit që kanë bërë. Në mënyrë që të kenë një çmim sa më të mirë të pronës së tyre, të cilën janë të detyruar ta deklarojnë me vlerën reale të shitjes dhe jo me referencën fiskale, ata duhet të marrin një ekspert privat të licencuar. “Nëse çmimet minimale fiskale ulen edhe nëse ai nuk e shet tani, por në të ardhmen, nuk do të paguajë gjë, nëse rriten atëherë do të paguajë vetëm 15% të diferencës mes çmimit të rivlerësuar dhe asaj me të cilën e shet. Por kjo vlerë është e vogël dhe e papërfillshme në krahasim me atë që ai kursen sot. Në qoftë se vlera e pronës është afërsisht ajo e çmimit minimal fiskal, patjetër duhet të bëhet në zyrën e regjistrimit të pasurive të patundshme; nëse vlera e pronës është më e madhe se çmimi minimal fiskal, që të përfitohet sa më shumë duhet patjetër të bëhet me vlerësues privat”, thotë Lefter Sila. “Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, formularit duhet t’i bashkëlidhet fotokopje e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë, të nënshkruar dhe vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë”, thuhet në udhëzimin e nxjerrë nga ministri i Drejtësisë dhe ai i Financave. Po ashtu nuk lejohet që pagesa e taksës 2% të jetë më e vogël se çmimi fiskal në hartën e tokës. “Baza e tatueshme, në këtë rast, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë, vlerë e cila nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal dhe vlerës së pasurisë sipas aktit të regjistruar ose vlerës së rivlerësuar për të cilën është paguar tatimi”, nënvizon udhëzimi.

Rivlerësimi zgjat vetëm 5 muaj. Ky proces përfundon më 28 shkurt, për këtë arsye institucionet shtetërore bëjnë thirrje që qytetarët të mos humbin kohë. “Afati i rivlerësimit është deri në datën 28 shkurt 2017. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që t’u drejtohen zyrave të regjistrimit për të përfituar nga kjo e drejtë që u jep ligji. Zyrat e regjistrimit do të jenë të hapura edhe përtej orarit zyrtar, nëse numri i qytetarëve do të jetë i lartë. Duke qenë se afati është vetëm 5 muaj u kërkoj që të gjejnë mundësinë brenda këtij afati dhe të vijnë të bëjnë rivlerësimin. Procesi është shumë i thjeshtë, nuk zgjat shumë dhe përfitimi është i madh”, – thotë Ilirjan Muho.