+355 4 2230 515

Inf-93.com

TAKSA E PRONES PER BIZNESIN

Biznesi do të paguajë më pak lekë nga sa paguan sot, me taksën e re që do të llogaritet sipas vlerës së tregut. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në Dibër, ku prezantoi paketën fiskale, tha se taksa për ndërtesën do të ulet për 95 për qind të bizneseve në vend. “Te taksa e pronës dhe taksa mbi ndërtesat, lajmi i mirë për ata që janë në sipërmarrje, është që iu ulet ngarkesa fiskale.

Pra, besoj që për 95% të bizneseve të Shqipërisë, ngarkesa e taksës së pronës do të ulet. Unë kam bërë disa llogari dhe ndoshta në Dibër është edhe 4 mijë lekë në vit më pak. Nuk është pak, nuk është shumë, por sinjali është i qartë që ngarkesa për biznesin të ulet dhe të ketë një proporcion mes ngarkesës që kanë qytetarët dhe asaj që ka sipërmarrja”, tha Ahmetaj.

Kështu, referuar llogaritjeve që ka kryer Ministria e Financave, vlera e një dyqani në Kombinat me sipërfaqe 40 metra katrorë, me çmim reference 140 mijë lekë/m2, llogaritet 5,600,000 lekë.

Shuma e taksës së re do të jetë 8,400 lekë në vit. Sot, ky biznes paguan taksë për ndërtesën në vlerën e 16,000 lekëve në vit, pasi taksa llogaritet fikse me 400 lekë/ m2.

Me taksën e re, ky biznes do të paguajë 7600 lekë më pak në vit ose 633 lekë më pak në muaj. Sipas llogaritjeve të Financave, ulja më e lartë do të jetë për bizneset në Tiranë, Elbasan dhe Korçë.