Pronat si investim – Ekspertët: Sot ka më pak interes

Sot më pak njerëz e shohin blerjen e një prone si një investim me leverdi për të fituar në të ardhmen. Sipas tij, kjo po ndodh kryesisht sepse sot është më e vështirë të shesësh një pronë, krahasuar me disa vite më parë.

Përkundrazi, mjet investimi ende shumë e preferuar janë njësitë tregtare.

Dyqanet në rrugët kryesore janë gjithnjë të kërkuara, duke qenë se qiratë që përfitohen prej tyre janë të larta dhe zakonisht pronarët nuk kanë nevojë të investojnë shumë për përmirësimin e ambienteve, sepse kjo bëhet nga qiramarrësi në varësi të llojit të aktivitetit.

Perceptimi se tregu i pronave është gjallëruar, sipas z.Sila, nuk është plotësisht i saktë.

Numri i transaksioneve ngelet më i pakët krahasuar me periudhën para se tregu të prekej nga kriza.

Rritja e kërkesës dhe e transaksioneve është e përqendruar më shumë në zonat periferike, ku çmimet janë më të ulëta dhe më të përballueshme.

Ndërkohë, në përgjithësi tregu ka ende ofertë dhe z.Sila shprehet se pothuajse kudo ku ndërtohet ka prona të pashitura.

Nëse dikur pallatet e reja, sidomos në zonat më të kërkuara, shiteshin që në karabina, sot ka pothuajse kudo apartamente dhe dyqane të pashitura.

Për sa i takon çmimeve, ai shprehet se rritja është e qenësishme vetëm për ndërtimet e reja, të nisura pas vitit 2015. Pronat në këto ndërtime kushtojnë 30% deri në 40% më shumë krahasuar me ndërtimet e mëparshme në të njëjtat zona.

Sipas ekspertëve, kjo rritje e çmimeve lidhet sidomos me faktorë të krahut të ofertës. Mes ndërtuesve ka konkurrencë të lartë për të siguruar truall ndërtimi, çka bën që pjesa e pronarit të tokës të jetë shumë e lartë, deri në 40%.

Nga ana tjetër, rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë e ka rritur ndjeshëm koston e ndërtimit për pallatet e reja. Nëse llogarisim edhe një pjesë të mirë të sipërfaqjes së ndërtimit që jepet me klering për kontraktuesit, pjesa që shitet nga ndërtuesi ngelet modeste.

Ajo që vërehet është se tregu i pronave po mbështetet gjithnjë e më shumë te kreditë bankare.

Sipas agjentëve, sot shumica e blerjeve financohen me kredi. Tregu i pasurive të paluajtshme në dy vitet e fundit duket në përmirësim, megjithatë jo të gjithë janë dakord se kemi të bëjmë me një rimëkëmbje të mirëfilltë pas krizës.

Ka ekspertë që mendojnë se, edhe në ato raste ku çmimet janë rritur, kjo është ndikuar më shumë nga rritja e kostove dhe përgjithësisht nga faktorë të krahut të ofertës.

Me siguri mund të thuhet se një nga faktorët që ka mbështetur një rritje të kërkesës është kredia bankare. Interesat e kredive për blerje banese kanë zbritur në nivelet më të ulëta historike, duke shfrytëzuar politikën monetare lehtësuese për monedhat euro dhe lek. Bankat po fokusohen gjithnjë e më shumë te këto produkte, me qëllim një diversifikim më të lartë të portofolit të kredisë te klientët individë.

Kreditë për blerje banesash kanë afate të gjata maturimi, çka mundëson një rritje të qëndrueshme të portofolit kreditor në kohë, por, gjithashtu, kanë edhe raportin më të ulët të kredive me probleme.