Shtëpitë u shtrenjtuan 11 %. Rritja më e lartë është në Tiranë dhe në zonat bregdetare

Çmimet e apartamenteve në Tiranë kanë parë rritje të vazhdueshme ndër vite, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë blerjen e një banese.
Veç qendrës së kryeqytetit ku për pallatet e ndërtuara nga 2015 e në vazhdim ku çmimet arrijnë deri në 3200 euro/m2, shtrenjtim kanë parë edhe zonat periferike.

Eksperti për pasuritë e paluajtshme Lefter Sila shpjegon se me gjithë çmimet e larta, tregu ofron variante të shumta për çdo kategori individësh në varësi të të ardhurave të tyre.

“Ato familje që kanë të ardhura të pakta sigurisht që do preferojnë për të blerë në këto zona të largëta ku çmimet janë edhe më të ulëta, duke preferuar sidomos kreditë. Ndërsa në qendër, në zonën e ish-Bllokut dhe pranë RTSH çmimet shkojnë 3000-3200 euro/m2. Në Unazën e Vogël çmimet shkojnë 1200-1300 euro/m2, kurse nga zonat e Astirit, Freskut, kopshti botanik kanë arritur çmimet nga 400-500 euro/m2 që ishte më përpara në 800-900 euro/m2.”

Së fundmi shpjegon eksperti Sila, si rrjedhojë e ofertës së lartë pronarët e tokave po shesin pronat e tyre me çmime edhe më të ulëta se ndërtuesit. Ai shpjegon edhe faktorët.

“Duke qenë që është krijuar edhe një ofertë e madhe po ndodh që pronarët e tokave që marrim mesatarisht 40-45% të pallatit kanë filluar të ofrojnë shitjen e pronave të tyre me çmime më të ulëta se ndërtuesit. Kjo pasi ata i duan paratë për nevojat e tyre, për të siguruar të ardhura, por duke parë edhe që nuk i shesin dot me çmimet e ndërtuesit zgjedhin t’i shesin me çmime më të lira. Edhe ato që kanë marrë me klering, vihet re që një pjesë kanë filluar t’i shesin me çmime më të ulëta se i kanë marrë nga ndërtuesit. “

Sipas shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar çmimet e apartamenteve u rritën me 11% në vend, ku veç Tiranës shtrenjtim panë edhe pronat në zonat bregdetare të vendit.

 
Marrre nga Top Channel