Takim konsultativ në Ministrinë e Drejtësisë për ligjin e ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, që do miratohet së shpejti.

Gjate takimit u diskutuan per ndryshimin ne disa pika te projekligjit.

Me poshte po ju tregojme nje pjese te Projektligjit te Profesionin te Ndermjtesit te Pasurive te Paluajtshme.

P R O J E K T L I GJ

Nr._______/2021

PËR PROFESIONIN E NDËRMJETËSIT TË PASURIVE  TË PALUAJTSHME

Në mbështetje të neneve 78 e 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, të drejtat dhe detyrimet e tyre, si dhe procedurën dhe masat disiplinore ndaj ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme.

Neni 2

Qëllimi

Ky ligj ka për qëllim rregullimin e ushtrimit të profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, mbrojtjen e interesave të ligjshme të ndërmjetësve të pasurive të paluajshme si dhe çdo shtetasi nëpërmjet garantimit të ligjshmërisë gjatë ndërmjetësimit të veprimeve juridike për kalimin e pronësisë së sendeve të paluajtshme ose të drejtave reale mbi to.

Neni 3

Përkufizime

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Ministri” ose “Ministria”, ministri ose ministria përgjegjëse për drejtësinë.

2. “Ndërmjetës i pasurive të paluajtshme”, personi fizik i certifikuar nga ministria përgjegjëse për drejtësinë për të ndërmjetësuar përfundimin e një marrëveshjeje për realizimin e veprimit juridik të kalimit të pronësisë së pasurive të paluajtshme ose të drejtave reale mbi to.

3. “Pasuri e paluajtshme” ose “pasuri”, çdo send i paluajtshëm, sipas kuptimit të Kodit Civil, si toka, burimet dhe rrjedhjet e ujërave, drurët, ndërtesat, ndërtimet e tjera notuese të lidhura me tokën dhe çdo gjë që është e trupëzuar në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme me tokën ose ndërtesën.

4. “Person i lidhur”, rrethi i personave që kanë marrëdhënie me ndërmjetësin e pasurive të paluajtshme ose kandidatin për ndërmjetës të pasurive të paluajtshme, i përbërë nga bashkëshorti, bashkëjetuesi, prindërit, fëmijët dhe çdo person tjetër të përmendur në çertifikatën familjare të lëshuar nga zyra e gjendjes civile, si dhe çdo person fizik ose juridik, që duket se ka ose ka pasur lidhje interesi që rrjedh nga një interes pasuror ose çdo marrëdhënie tjetër biznesi.

5. “Regjistri i ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme”, regjistri i të dhënave për zyrat e ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme dhe ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme administruar në përputhje me këtë ligj, në të cilin regjistrohen të dhënat lidhur me marrjen dhe heqjen e çertifikatës së ushtrimit të profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme, përmbushjen e detyrimeve ligjore, si dhe ecurinë disiplinore të tyre.

6. “Veprime juridike me pasuritë e paluajtshme”, çdo lloj veprimi juridik që ka si objekt kalimin e së drejtës së pronësisë së pasurive të paluajtshme ose të drejtave reale mbi to dhe përfshin veçanërisht lidhjen e një kontrate shitjeje, shkëmbimi, qiraje ose enfiteoze.

Neni 4

Parimet

Ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme, gjatë ushtrimit të profesionit, udhëhiqet nga parimet bazë të profesionalizmit, të etikës, të barazisë së palëve, të integritetit dhe të konfidencialitetit.

 

KREU II

VEPRIMTARIA E NDËRMJETËSIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME

Neni 5

Ushtrimi i profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme

1. Profesioni i ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme mund të kryhet vetëm nga personi që është çertifikuar për kryerjen e kësaj veprimtarie, në përputhje me kriteret e parashikuara në këtë ligj.

2. Çdo person tjetër që nuk është certifikuar për ushtrimin e profesionit të ndërmjetësit të pasurive të paluajtshme nuk lejohet të ndërmjetësojë kryerjen e veprimeve juridike për kalimin e pasurive të paluajtshme ose të të drejtave reale mbi to, pavarësisht formës ose mjetit që përdoret për ndërmjetësimin.

Neni 6

Kodi i Etikës Profesionale

1.Kodi i Etikës Profesionale përcakton standardet për respektimin dhe zbatimin e rregullave të etikës profesionale të ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, të drejtat dhe detyrat në marrëdhënie me klientët, ndërmjetësit e tjerë dhe institucionet shtetërore.

2.Kodi përcakton rregulla të hollësishme mbi të drejtat dhe përgjegjësitë profesionale të detyrueshme për zbatim në ushtrimin e veprimtarisë ndërmjetësuese.

3.Kodi miratohet me urdhër të ministrit.

 

KREU III

HYRJA NË PROFESION

Neni 7

Organi certifikues

1.Ministri është autoriteti shtetëror përgjegjës, i cili u jep certifikatën individuale për ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme personave fizikë që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si ndërmjetës të pasurive të paluajtshme, në përputhje me rregullat dhe procedurat e parashikuara në këtë ligj.

2. Ministri jep certifikatën, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga dorëzimi i kërkesës për pajisjen me certifikatën e ushtrimit të profesionit, çdo personi fizik që përmbush kriteret e nenit 8 të këtij ligji, për ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësimit të pasurive të paluajtshme. Ndërmjetësi i pasurive të paluajtshme, pas marrjes së certifikatës dhe përpara fillimit të veprimtarisë, regjistrohet në organet tatimore, në përputhje me aktet ligjore në fuqi.

Vazhdon.....